Errët
Ndritshëm

Jon Hoti dënohet me mbi 24 vjet burg për vrasjen e dy personave në Klinë

30.05.2025

Gjykata Themelore në Pejë të premten dënoi Jon Hotin me dënim unik prej 24 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e dyfishtë më 13 nëntor 2024 në Klinë.

Sipas aktgjykimit, Hoti, i dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”, u dënua me 24 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 vit burgim. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 24 vjet e 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Hotit iu vazhdua masa e paraburgimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar.

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, më 7 prill 2025 kishte ngritur aktakuzë ndaj Hotit për vrasjen e R.Sh. dhe A.Sh., më 13 nëntor 2024 në Klinë.

Prokuroria bën me dije se rasti kishte ndodhur në një lokal, pasi i pandehuri paraprakisht i kishte kërkuar shtëpitë e viktimave, e më pas i kishte kontaktuar ata përmes rrjetit social Facebook, ku edhe kishin lënë takim në lokal.

“… përmes rrjetit social Facebook i kontakton viktimat dhe me të njëjtit lënë takim në një lokal në qendër të Klinës, dhe pas një bisede disa minutëshe me dy viktimat, me të cilët ishte i ulur në të njëjtën tavolinë, i pandehuri J.H. ngritet në këmbë dhe duke qenë i kthyer me shpinë kah viktimat, nxjerr armën nga xhaketa e tij dhe fillon të gjuajë në drejtim të viktimave, me ç’rast vëllai i viktimës R.Sh., dëshmitari E.Sh., hedhet në armë të pandehurit duke e parandaluar të njëjtin të gjuajë më tutje, kurse në ato momente bie në dysheme arma e të pandehurit, ndërsa më pas i pandehuri J.H. largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Si pasojë e të shtënave më 13 nëntor 2024, të vdekur mbetën R.Sh. dhe E.Sh.

Errët
Ndritshëm