Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se koha e barrikadave ka kaluar dhe nuk do të lejojnë të vendosen të reja, si përgjigje ndaj protestës së paralajmëruar nga disa biznese, me organizim të Odës Ekonomike, që bllokuan hyrjet kryesore të Prishtinës nga ora 10:00 deri në 12:00, në shenjë kundërshtimi ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Kurti ka thënë se nga vendimi për të dalë në treg të hapur preken 1200 ndërmarrje apo 1% e të gjitha ndërmarrjeve në Kosovë.
“300 prej tyre si prodhuese dhe shpenzuese më të mëdha, preken më së shumti, por duhet theksuar se ky proces nuk është i befasishëm”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të enjten.
Ai theksoi se ligji për energjinë elektrike është miratuar që në vitin 2016, ndërsa faza e parë e liberalizimit ka nisur më 2017. Sipas tij, faza e dytë është shtyrë disa herë në këto tetë vjet, duke u dhënë bizneseve kohë të mjaftueshme për t’u përgatitur.
Kryeministri në detyrë ka theksuar se ndërmarrjet kanë përfituar tarifa të rregulluara dhe subvencione në vlerë prej 26 milionë eurosh, ndërsa qeveria i ka mbështetur edhe gjatë pandemisë dhe krizës energjetike. Ai përmendi skemat për efikasitet energjetik, instalim të paneleve solare dhe subvencionim për pajisje e makina më efiçiente si mjete konkrete të përkrahjes.
Në adresim të drejtpërdrejtë ndaj Odës Ekonomike, Kurti u shpreh kritik për rolin e saj në organizimin e protestës.
“Oda Ekonomike që duhej të qëndronte pranë bizneseve për t’u përballur me realitetin e ri, sot po tenton të bllokojë rrugët magjistrale me kërkesën për shtyrje. Por ajo çka nuk po iu tregon Oda Ekonomike është se kërkesa e tyre për një vit shtyrje nuk e zgjidh problemin, por vetëm e bart koston e energjisë te fatura e secilit prej jush”, u shpreh ai.
REAGIMI I KRASNIQIT
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria në detyrë po tenton t’i shkatërrojë bizneset me vendimin për dalje në treg të lirë.
Ai e ka quajtur të turpshme deklaratën e kryeministrit në detyrë, i cili duke kritikuar bizneset për protestën e së enjtes tha se “koha e barrikadave ka kaluar”.
“Është e turpshme që kryeministri në detyrë i krahason punëtorët e Kosovës, bizneset me grupet dhe bandat kriminale në veriun e vendit që në të kaluarën kanë bërë barrikada. Është e turpshme, e papranueshme dhe nuk do duhej të ndodhte. Sot po flasim jo për 1% siç e ka quajtur kryeministri, por për mbi 50% të punësuarve në sektorin privat”, ka thënë ai para mediave pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
Krasniqi shtoi se të premten PDK-ja nis betejën ligjore për këtë vendim.
“PDK-ja do të fillojë betejën ligjore nesër për këtë rast. Nesër do bëjmë kundërshtim administrativ në ZRRE, për të vazhduar betejën ligjore deri në anulimin e këtij vendimi”.