Errët
Ndritshëm

55 vota dhe asnjë zgjidhje: Përsëri dështim në Kuvendin e Kosovës

29.05.2025

As përpjekja e 23-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.

Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar serish.

Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 55 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të shtunën në orën 10:30.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.

Ditëve të fundit është raportuar se partia e Albin Kurtit ka intensifikuar përpjekjet për t`i siguruar disa deputëtë nga partitë tjera për formimin e institucioneve të reja.

Kjo po bëhet duke i joshur ata me pozita ekzekutive dhe favore tjera.

Një gjë të tillë dje e ka konfirmuar edhe deputeti i LDK-së, Anton Quni.

Në emisionin DPT të Fidani, ai ka bërë me dije se në këmbim të votës për kryeparlamentar dhe qeveri i është ofruar postin e Ministrit të Mbrojtjes.

Errët
Ndritshëm