Të Enjten me 29 maj hyrjet kryesore të Prishtinës do të mbyllen për dy orë nga bizneset. Kjo si protestë ndaj liberalizmit të tregut të energjisë elektrike, që pritet të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se për dy orë do të ketë protestë paqësore, teksa ka paralajmëruar se ato do të vazhdojnë deri në plotësim të kërkesave të bizneseve që të shtyhet dalja në treg të lirë dhe që të niset dialogu për të gjetur zgjidhje të pranueshme.
Nga ora 10:00 deri në orën 12:00 do të bllokohen këto hyrje të Prishtinës.
Hyrja nga Veterniku – Hyrja nga Gjilani – do të bllokohet hyrja nga Albi Mall e poshtë Veternikut – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet (Ferizaj, Gjilan, Aeroport)
Hyrja nga Fushë-Kosova – Hyrja nga Mitrovica – do të bllokohet hyrja prej rrethit të Madh te Lakrishtja – Kështu bllokohen të gjitha hyrjet nga Mitrovica dhe Fushë-Kosova
Hyrja nga Podujeva – Hyrja në lagjen e Vranjevcit – te ish-Humanisti – Udhëkryqi te banka Raiffeisen – bllokohen hyrje-daljet nga Podujeva, por edhe lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj/Orlloviq.
Rrugët do të bllokohen nga automjetet e kompanive që do të preken nga vendimi për dalje në treg të lirë.
Në rast se kërkesat nuk plotësohen, Oda Ekonomike ka bërë një paralajmërim.
“Në mungesë të reagimit institucional: protesta do të vazhdojë çdo ditë, gjatë gjithë ditës, deri në reflektim dhe veprim konkret nga institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.
Zyra e Rregullatorit të Energjisë nuk ka sqaruar se si do të ndikojë në tarifat e energjisë dalja në treg të hapur e konsumatorëve me mbi 10 milionë euro qarkullim ose me mbi 50 punëtorë. Por sipas Odës Ekonomike, në treg të lirë janë ofertat me çmime prej 200 për qind më të larta.