Një aksident tragjik ndodhi të dielën në Austri, ku humbi jetën një i ri nga Kosova. Sipas të përditshmes austriake Heute, ngjarja ndodhi rreth orës 17:35 në rrugën L1436, në Waldhausen im Strudengau.
Një 29-vjeçar nga rrethi i Melkut po udhëtonte me veturën e tij në drejtim të St. Nikola, kur në zonën Sattlgai u përball me një automjet tjetër, të drejtuar nga një 21-vjeçar kosovar nga rrethi i Pergut. Për arsye ende të paqarta, të dy veturat u përplasën lehtë dhe dolën nga rruga.
Veturës së 21-vjeçarit iu ngjit një skaj i rrugës, më pas u përplas dhe u hodh sërish në rrugë, ku vetura përfundoi e përmbysur.
I riu kosovar pësoi lëndime të rënda dhe, pavarësisht ndihmës së shpejtë, ndërroi jetë në helikopterin e emergjencës “Christophorus C15”, gjatë rrugës për në spitalin UKH Linz.