Shenjester raportoi të premten e kaluar se në sallën e Senatit të Universitetit të Prishtinës u mbajt një antologji me rrëfime të izraelitëve për ngjarjet e 7 tetorit 2023, ndërsa munguan rrëfimet e palestinezëve.
UP — Universiteti i Përjashtimit: Fjalë për Izra:elin, heshtje për Pale:stinën
Lidhur me këtë, ka reaguar Altin Sahiti, kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës. Ai tha se distancohet nga përfshirja e Universitetit në çështje të ndjeshme dhe politike, të cilat tejkalojnë misionin akademik dhe shoqëror.
Reagimi i tij i plotë:
Në emrin tim personal dhe si Kryetar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, ndjej detyrim moral dhe institucional të distancohem qartë nga përfshirja e Universitetit në çështje të ndjeshme dhe politike që tejkalojnë misionin tonë akademik dhe shoqëror.
Universiteti i Prishtinës është institucion i dijes, i kërkimit shkencor dhe i formimit të mendimit kritik. Ai mund e duhet të shërbejë si hapësirë per diskutim kritik e kërkim objektiv, por nuk mund të shndërrohet në platformë për promovimin jokritik të narrativave politike të asnjë pale në konflikte ndërkombëtare.
Kosova dhe populli i saj kanë përjetuar drejtpërdrejt pasojat e persekutimit dhe dhunës sistematike, luftës dhe masakrave, viktimë e pashmangshme dhe e drejtpërdrejt ka qenë edhe vetë universiteti, stafi e studentët e tij dhe dija në përgjithësi. Prandaj, është e papranueshme që në hapësirat qendrore akademike të Republikës sonë të promovohen qëndrime që qoftë edhe në dukje mbështesin ose justifikojnë veprime të ngjashme ndaj civilëve, të cilësdo palë ose më saktësisht të asnjë pale, dhe kudo që ato ndodhin. Ne refuzojmë në mënyrë kategorike të pranojmë sulmin ndaj civilëve, njësoj siç nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj vuajtjeve të popujve të tjerë, veçanërisht kur ato përkujtojnë plagët tona të hapura.
Çdo përpjekje për ta vendosur UP-në në qendër të polemikave politike, ideologjike apo propagandistike, është në kundërshtim me vlerat mbi të cilat është ndërtuar ky institucion dhe vlerave të cilave u shërben dhe i aspiron.
Si Këshill Drejtues, do të angazhohemi për të siguruar që integriteti akademik dhe misioni human i Universitetit të mbesin të pacenuara dhe larg çdo ndikimi që nuk ka të bëjë me edukimin, shkencën dhe përparimin shoqëror.