Besa Security ka ndarë për Shënjestër detaje nga rasti i grabitjes së të mërkurës që ndodhi në pikën e IPKO-s, në sheshin “Nënë Tereza”.
Nga kompania e pranuan për Shënjestër se personi i përfshirë në incidentin e datës 21 maj 2025 është pjesëtar i stafit tonë dhe ishte në detyrë si roje fizike në objektin e kompanisë IPKO në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
“Gjatë incidentit, punëtori i sigurimit është kapur nga tre persona të panjohur dhe të armatosur dhe është mbajtur nën kontroll brenda në objekt, por për fat të mirë nuk ka pësuar lëndime trupore”, thuhet në përgjigje.
Sipas Besës, menjëherë pas marrjes së sinjalit të alarmit, kompania ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, duke dërguar dy ekipe patrulluese të specializuara në vendin e ngjarjes, të cilat kanë reaguar brenda më pak se pesë minutash.
“Megjithatë, ngjarja ka zgjatur më pak se dy minuta, çka ka pamundësuar kapjen në flagrancë të keqbërësve”, thuhet në Besa Security.
Sipas policisë, tre persona pasi kishin sulmuar sigurimin jashtë objektit, futen brenda dhe grabitën një kasafortë me para të gatshme, telefona të rinj dhe mbushje telefonike.