Gjinekologu Afrim Veliu dyshohet se është sulmuar fizikisht të martën në mbrëmje, në lagjen ‘Ulpiana’ në Prishtinë. Ai është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
“Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se teksa po futej në veturë, viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Motivi i sulmit mbetet i panjohur.
I kontaktuar nga Shënjestër, gjinekologu e mohoi sulmin ndaj tij.
“Jo, jo nuk jam sulmuar. Gabim është”, tha shkurtimisht ai.
Prokuroria Themelore e Prishtinës sqaroi se po i ndërmerr të gjitha veprimet hetimore në lidhje me rastin.
“Prokurori i shtetit ka iniciuar rastin “Lëndim i lehte trupor” bazuar nga neni 185 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.