Errët
Ndritshëm

Rreth një vit më vonë, rasti i Lëvizjes për Braktisjen e Islamit ende në hetim nga Prokuroria Speciale

21.05.2025
Psrk

Rasti i Lëvizjes për Braktisjen e Islamit akoma ka mbetur në fazën e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës, gati një vit pasi lënda kaloi këtu nga Prokuroria Themelore e Pejës. Transferimi, siç mëson Shenjester nga burime, ishte bërë për shkak të dyshimeve për cenim të sigurisë kombëtare.

“Ju njoftojmë se rasti është ende duke u hetuar. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë veprime hetimore, bazuar në Kodin e Procedurës Penale. Për veprimet e tjera, publiku do të njoftohet në kohë”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës për Shënjestër.

Prokuroria Themelore e Pejës, në anën tjetër, kishte hapur rastin fillestar, për të parë nëse deklaratat e Lëvizjes për Braktisjen e Islamit kanë elemente të veprës penale të nxitjes së urrejtjes apo mosdurimit.

Juristi Asdren Bytyqi ka sqaruar se ka bazë për vepër penale, mbështetur në deklarimet e anëtarëve të grupit.

“Konsideroj se ka bazë për vepër penale nxitje e urrejtjes apo mosdurimit sepse deklaratat kanë qenë përcarëse”, theksoi Bytyqi për Shënjestër.

Grupi, që në rrjetet sociale njihet me emrin Lëvizja e Deçanit, vazhdimisht proklamon aktivitetin e vet në internet.

Bashkësia Islame e Kosovës, përmes kreut të saj Naim Tërnava, i kishte cilësuar nismëtarët e lëvizjes si “mbetje e sistemit komunist-ateist”, të cilët dëmtojnë interesat e vendit.

Në Kosovë, rreth 94 për qind e popullsisë 1.6 milionëshe deklarohen myslimanë, mbi 2 për qind ortodoksë, më pak se 2 për qind katolikë, të asnjë besimi janë deklaruar 0.5%, përgjigje për përkatësinë fetare nuk kanë dhënë 1.5%, ndërsa të besimeve të tjera janë deklaruar 0.45%.

Errët
Ndritshëm