Errët
Ndritshëm

Refuzimi i lirimit të përkohshëm të Veselit, Selimit e Krasniqit “hallakat” Kosovën

21.05.2025
Uck Uqk Ovl Uck Ushtria

Gjykata Speciale me seli në Hagë ka refuzuar kërkesën për lirim të përkohshëm për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Vendimi ende nuk është bërë publik, megjithatë kjo vërtetohet në kërkesën e fundit për vazhdim të paraburgimit ndaj Kadri Veselit.

“Paraburgimi mbetet proporcional. Në shqyrtimin e fundit të paraburgimit, ky Panel konstatoi se paraburgimi i Veselit për dy muaj të tjerë ishte i nevojshëm dhe i arsyeshëm në rrethanat specifike të çështjes. Më 13 maj 2025, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit të Veselit për lirim të përkohshëm, Paneli konfirmoi se paraburgimi i tij mbeti i nevojshëm dhe i arsyeshëm”, thuhet në vendim.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka reaguar me indinjatë dhe shqetësim të thellë ndaj vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë, të cilat kanë refuzuar kërkesën për lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në reagimin e saj zyrtar, OVL UÇK e konsideron këtë vendim si një tjetër dëshmi të padrejtësisë që po u bëhet përfaqësuesve të luftës çlirimtare të Kosovës. Sipas kësaj organizate, mënyra e trajtimit të ish-krerëve të UÇK-së nga kjo gjykatë jo vetëm që është e padrejtë, por paraqet edhe një pengesë serioze në përpjekjet e Kosovës për të fituar njohje ndërkombëtare për luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi.

“Ky vendim është një hap prapa në përpjekjet për drejtësi dhe barazi ndërkombëtare. Bashkëluftëtarët tanë meritojnë trajtim të drejtë dhe objektiv, e jo diskriminim të vazhdueshëm”, thuhet ndër të tjera në reagimin e OVL UÇK.

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami ka ngritur alarmin pasi trupi gjykues në Hagë në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ua ka refuzuar kërkesat për lirim të përkohshëm Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ai në një postim në Facebook pas raportimeve të Klan Kosovës rreth kësaj çështjeje tha se “refuzimi nga ky panel është është indikator dhe shenjë e qartë se Gjykata Speciale kundër krejt ligjeve dhe konventave ndërkombëtare do t’i dënojë krerët e UÇK-së.

“ALARM! Krejt vëmendja në Hagë, ju lutem. Ka plot persona që kanë përcjellur procesin e gjyqit në Hagë, që kanë shpresuar se krerët e UÇK-së mund të lirohen e të mbrohen në liri, pasi Prokuroria të përfundojë dëshmitarët e saj.Edhe vet e kam pas një troh shpresë|”

“Tani nuk ka më dilema, nuk ka më kalkulime!Tani është koha që i madh e i vogël, me krejt fuqinë dhe mjetet demokratike, duhet të kundërshtojmë këtë proces politik me të vetmen kërkesë:Gjyq fer, të pavarur dhe sovran”, shkruan ai

Errët
Ndritshëm