Errët
Ndritshëm

Dështim pas dështimi: Kuvendi nuk konstituohet për herë të 18-të

19.05.2025

Për të 18-tën herë dështon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Propozimi për formimin e komisionit për votim të fshehtë nuk kaloi as të hënën. 52 votuan pro, asnjë kundër e asnjë abstenim.

Fajin për mos konstituuimin e Kuvendit partitë ia lanë njëra-tjetrës.

Dimal Basha, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se fajin e kanë partitë që nuk po votojnë për formimin e komisionit për votim të fshehtë.

“Me rëndësi është që VV-ja tashmë është treguar konstruktive që për qëllim ka pasur zhbllokimin. Bllokues janë ata që po votojnë kundër”, ka thënë Basha.

Në anën tjetër, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se përgjegjësia i bie partisë së parë për të gjetur një zgjidhje.

“Mungesa e urgjencës është vërtetë lajm i keq për Republikën e Kosovës, sepse Kosova ka nevojë për institucione, ka nevojë për veprime politike të partisë së parë “, ka deklaruar Abdixhiku.

Shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka ironizuar duke thënë se Albulena Haxhiu mund të propozohet për çmimin Nobel për dështimet e njëpasnjëshme.

“Veç me propozu për çmimin Nobel Albulena Haxhiun, edhe pse çmimi Nobel është për të arriturat në ndonjë fushë, tash me propozu për çmim Nobel për dështimet e një pas njëshme në plotë seanca”, ka thënë Kadrijaj.

Errët
Ndritshëm