Osman Hajdarit, ushtrues detyre i drejtorit të QKUK-së, i ka shpërthyer vetura e tij private në parkingun e administratës së këtij institucioni. I lënduar nuk ka mbetur askush.
Hajdari tha se nuk ka obligime ndaj askujt dhe se ka shkuar në punë “si çdo ditë tjetër”.
“Nuk kam kurrfarë obligimi ndaj askujt, kam ardhë në punë si çdo ditë. Për çdo gjë referojuni komunikatës, sepse çdo gjë që them mos po i prish hetimet,” – tha ai para mediave.
Sipas Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, dëmtimi ka ndodhur në rrethana ende të panjohura, në kohën kur po bëheshin përgatitjet për fillimin e mbledhjes së rregullt të Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), në hapësirat e administratës qendrore.
“Për incidentin janë njoftuar menjëherë organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti,” – thuhet në njoftim.
Të njëjtin version e dhanë edhe nga Policia e Kosovës.
“Policia, me të gjitha njësitë relevante, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po trajton rrethanat që karakterizojnë ngjarjen.”
Osman Hajdari është emëruar ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) më 21 janar të vitit të kaluar.
Para se të caktohej drejtor i QKUK-së, ai ka qenë drejtor i administratës në Spitalin e Prizrenit.