Njëjtë sikur në seancat e kaluara, as sot nuk u konstitua Kuvendi.
Albulena Haxhiu, si propozim i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, këtë herë ka marrë vetëm 54 vota për.
Për shkak të bllokimit të Kuvendit, pati deputetë që erdhën me propozime interesante për ta zhbllokuar atë.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar ndihmën e presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë.
“E kemi një propozim si grup parlamentar: mendojmë dhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ta zgjedhë një shesh në Prishtinë dhe t’ia vë emrin e presidentit Trump, në mënyrë që të angazhohen dhe të mos na harrojnë edhe miqtë, sepse na kanë harruar dhe nuk po merret askush me neve. Si duket, ne nuk jemi të zot ta zgjidhim asnjë situatë politike në Kosovë”, ka deklaruar Berisha.
Në anën tjetër, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ofroi një kompromis që, sipas tij, do të kryente punë.
“Ajo që kemi ofruar si kompromis është dakordim politik që të tri partitë më të mëdha që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë – pos partive parlamentare të komuniteteve joshumicë – të mblidhen, të dakordohen dhe në paketë të përfshihen emri i kryetares Albulena Haxhiu dhe i nënkryetarëve, që të vazhdohet tutje”, ka thënë ai.
Për kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nëse vazhdohet njëjtë edhe në seancat e ardhshme, zgjidhja është të shkohet në zgjedhje.
“Nëse nuk ka kapacitet dhe pjekuri, nuk ka hapësirë për një zgjidhje, atëherë zgjidhje tjetër janë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Limaj.
Për shkak të moskonstituimit, Kuvendi do të mblidhet edhe të enjten.