Errët
Ndritshëm

30 ditë paraburgim për të miturin që therri tjetrin në Ferizaj

29.04.2025

Të miturit që e therri me thikë një tjetër të martën, iu caktua masa e paraburgimit për 30 ditë. Kjo, pasi që Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit kundër të miturit.

Sherri dyshohet se filloi përmes shkrimeve në SnapChat. Më pas, i dyshuari, pasi që kishte siguruar një thikë, me datën 27.04.2025, në oborrin e shkollës së mesme të mjekësisë, e kishte takuar të miturin, duke e ofenduar e më pas goditur 3 herë me thikë në pjesën e gjoksit e të krahëve.

Për shkak të lëndimeve të rënda që kishte pësuar, i mituri, pas mjekimit në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ishte dërguar në QKUK.

“I njëjti, si pasojë e këtyre goditjeve, pëson lëndime të rënda trupore, e për ato lëndime posedon edhe raport mjekësor të datës 27.04.2025, lëshuar nga Spitali i Përgjithshëm, Qendra Emergjente në Ferizaj, e për shkak të gjendjes kritike shëndetësore, i njëjti transferohet menjëherë në QKUK në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

I mituri dyshohet se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë, nga neni 172, lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Errët
Ndritshëm