Secili në takatin e vet. Secili për interesat e tij.
Kaq thjesht e sqarueshme është përplasja reprizë mes Albin Kurtit dhe Devollëve. Palët u qitën copë mes vete në fushatë zgjedhore. Frika ngjalli luftën. Kurti i rivalizoi Devollët nga tuta për numrat. Devollët, në anën tjetër, e panë Kurtin si rrezik. Sepse ardhja e tij nuk garanton interesat e tyre biznesore, të paktën jo aq sa do të garantonte ardhja në Qeveri e PDK-së, AAK-së apo LDK-së. Rezultati i 9 shkurtit nuk prodhoi zgjidhje për asnjërën palë. Frika mbeti aty. Andaj edhe lufta, që sikur u duk se pushoi pak pas zgjedhjeve, u ringjall sërish.
Fitilin e ndezi kryeministri. Kur? Tash kur në Kuvend nuk po i gjen numrat. As pas gjashtë tentimeve nuk e ka shumicën e thjeshtë për ta bërë Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit. As veten kryeministër. Kurti i sheh Devollët si fajtorët kryesorë për ngërçin. Korporata Devolli – një sekret publik tashmë – financoi/përkrahu gati “all in” LDK-në. Teksa kjo parti u rrit, VV ra më së shumti, nëse krahasohen rezultatet e sivjetme zgjedhore me ato të vitit 2021. Duke e ditur këtë, Kurti nuk qëndroi duarkryq. Ia publikoi pasaportën dhe ia ndërpreu Shkëlqimit mandatin si konsull nderi në Mal të Zi. Mirë ia bëri. Veçse këtë të mos e shesë sikur po e bën për shtetin. Po e bën për karrigen e tij. Për pushtet. Për interesat e veta. Shkëlqimi e kishte mandatin që nga viti 2019. Ku ishte më herët KURTI?
Dhe tjetra… sulmi ndaj Devollit.
Është rrenë e madhe që Kurti po e sulmon Devollin shkaku i veprimtarisë. Zërat që në opinion thonë diçka të tillë janë të lidhur në një apo tjetër formë me Korporatën. Kompania është shumë e fuqishme financiarisht. Natyrshëm ka një rrjet që i mbron dhe punon për ta. Analistët, shoqatat biznesore, individët duhet të jenë korrektë: të mos e mbrojnë Devollin dhe të mos i lidhin sulmet e Kurtit me klimën e sulmeve ndaj biznesit në Kosovë. Kurti po e sulmon kompaninë Devolli sepse ajo nuk ka dashur të jetë thjesht një biznes. Po e sulmon sepse kompania u përlye në ujin e ndytë të politikës. Në atë ujë, ku notin për të dalë në breg ta mësojnë partitë. Ku sukseset biznesore arrihen më lehtë. Ku lidhjet e shkurtra funksionojnë.
Nëse Devollët duan t’i futen politikës, le të hyjnë publikisht. Nëse duan të mbajnë vec biznes, le të rrinë larg politikës. Sa më afër saj, aq më normale bëhen sulmet si të Kurtit. Veçse asnjëra palë të mos mburret me shitjen e përrallave. Rrenat nuk kalojnë. Interesat e juaja, tash për tash, JO!