Errët
Ndritshëm

Dështon për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit

25.04.2025

Albulena Haxhiu, kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetare të Kuvendit, ka dështuar sërish të sigurojë votat e mjaftueshme për të marrë këtë post. Ajo nuk ka arritur të fitojë më shumë se 57 vota në seancën e mbajtur të premten. Kundër kanë votuar PDK-ja dhe LDK-ja, ndërkohë që tre deputetë nga Nisma Socialdemokrate kanë abstenuar. Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 27 prill.

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, i është referuar Kushtetutës së Kosovës lidhur me afatin për konstituimin e Kuvendit, edhe pse Kushtetuta nuk e qartëson plotësisht këtë proces.

Ajo ka theksuar se opozita po e bllokon procesin, duke votuar kundër kandidates për Kryetare të Kuvendit. Kusari-Lila ka theksuar se, sipas Kushtetutës, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, dhe kjo periudhë përkon me datën 27 prill. Ajo ka shtuar se ky proces nuk mund të zgjatet pafundësisht dhe mund të çojë në një situatë ku diskutimet me subjektet politike do të përshpejtojnë kalimin në një datë tjetër zgjedhjesh.

“Neni 66 i Kushtetutës thotë se Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve,” tha Kusari-Lila. Ajo gjithashtu shtoi se ky është një moment për të kërkuar një interpretim të ri mbi afatet, duke theksuar se për këtë çështje nuk ka aktgjykim nga Gjykata Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e bllokon qëllimisht konstituimin e Kuvendit, pasi nuk ka numra të mjaftueshëm për të formuar qeverinë.

Ai ka kërkuar që Vetëvendosje të ndryshojë propozimin për kandidatin për Kryetar të Kuvendit, duke theksuar se nuk është e pranueshme që një kandidat të mbajë peng shtetin dhe institucionet për interesa personale. Krasniqi ka thënë se VV-ja ka pasur mundësi ta ndryshojë kandidaturën, pasi nuk ka shumicën parlamentare për të mbështetur këtë kandidat.

“Bllokada është e qëllimshme dhe vjen nga VV-ja si parti e parë që i takon propozimi. Është e pakuptimtë dhe e turpshme që për tekat e një kandidati, një deputeteje, të mbetet peng shteti. Ky është një pengmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një partie dhe një kandidati. Ata nuk kanë numra për Qeveri dhe fakti që Albin Kurti nuk mund të jetë kryeministri i ardhshëm është duke i mbajtur peng institucionet dhe shtetin,” tha Krasniqi pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.

Errët
Ndritshëm