Errët
Ndritshëm

Vrasja e rreshterit Lika: 47 sekonda, u përcoll hap pas hapi

22.04.2025

Për 47 sekonda pretendohet se u vra Muhamed Lika në Kaçanik.

Por, para se R. B. dyshohet të ketë kryer vrasjen e tij, rreshteri policor mbrëmjen e 1 prillit, qe në përcjellje të gjatë dhe të vazhdueshme me vetura nga 6 të dyshuarit e tjerë: Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamand Gashi.

Dosja hetimore sqaron se përcjelljen finale, në këmbë, po e bënte i mituri R. B. Ai, siç thuhet në dosjen e rastit, vërehet në kamerat e sigurisë se në ora 22:57 vazhdon ta përcjellë rreshterin Lika, duke ecur rreth 15-20 metra mbrapa tij, kur polici hyn në hyrjen e banesës së tij. Pas tij shkon edhe i mituri R. B.

Ky, me të takuar të ndjerin brenda shkallëve të objektit, dyshohet se ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri, me katër plumba.

R. B., pas kryerjes së vrasjes, ikë nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i cili kishte qenë duke e pritur, dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”.

Derisa ishin duke vrapuar, i mituri dhe i pandehuri dëgjohet një zë duke thënë: “Bravo, ik”.

Gjykata Themelore në Ferizaj tashmë ndaj R. B. ka caktuar masën e paraburgimit, kurse seanca ndaj gjashtë të tjerëve mbahet sot, më 22.04.2025, në orën 13:00.

Grupi u arrestua të hënën në një aksion të forcave policore.

Errët
Ndritshëm