Vendosja e çmimit prej 5 centësh për qeset plastike ka ndikuar ndjeshëm në uljen e importit të tyre në Kosovë.
Sipas Institutit “Atlas”, gjatë vitit 2024 janë importuar 750 mijë kilogramë më pak qese plastike krahasuar me vitin paraprak, duke sjellë një kursim ekonomik prej rreth 1 milion eurosh.
Në vitin 2023, në Kosovë ishin importuar 1 milion kilogramë qese plastike, ndërsa në vitin 2024 kjo sasi ka rënë në vetëm 250 mijë kilogramë.

Instituti vlerëson se politikat fiskale, siç është vendosja e çmimit për qeset, mund të kenë ndikim real në uljen e ndotjes mjedisore.
Megjithatë, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit ende nuk ka publikuar të dhënat për prodhimin vendor të qeseve, siç kërkohet me ligj deri më 31 mars të çdo viti.
Zbatimi i Udhëzimit Administrativ për qeset plastike ka filluar në tetor të vitit 2023. Ky udhëzim ndalon tërësisht disa lloje qesesh dhe të tjerat i lejon vetëm me pagesë. Përdorimi falas lejohet vetëm për qeset e përdorura për fruta, me trashësi nga 0 deri në 25 mikronë, ndërsa ato me trashësi nga 25 deri në 50 mikronë kushtojnë 5 centë.