Errët
Ndritshëm

Prokuroria kërkon urdhër gjyqësor për paraqitjen e Kurtit

19.02.2025
Albin Kurti

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një kërkesë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të paraqitet për të dhënë dëshmi si dëshmitar në lidhje me dyshimet për keqpërdorime të rezervave shtetërore.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se kjo kërkesë është duke u shqyrtuar nga gjykata.

“Kërkesa nga Prokuroria Speciale është pranuar dhe aktualisht është në proces shqyrtimi nga gjykata”, ka thënë Gashi të mërkurën.

Prokuroria Speciale kishte ftuar kryeministrin në detyrë për të dhënë dëshmi më 11 dhjetor. Që atëherë, Kurti ka shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, por ka theksuar se prokurorët mund ta intervistojnë në zyrën e tij, një praktikë që sipas tij është ndjekur edhe më parë.

Çështja e rezervave shtetërore përfshin si të dyshuar afaristin Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Errët
Ndritshëm