Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ndaj refuzimit të kërkesës së ish-presidentit Hashim Thaçi për të vizituar babanë e tij, i cili është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ata e quajtën këtë veprim të Gjykatës Speciale një shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkuan ndërhyrjen e instancave ndërkombëtare për të ndaluar veprimet e njëanshme të kësaj gjykate.
“Ne Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – OVL-UÇK, reagojmë dhe ndihemi thellësisht e shpirtërisht të prekur me veprimet e “gjykatës speciale”, e cila që nga fillimi e deri tashti ka qenë e njëanshme dhe dukshëm kundër pjesëtarëve të UÇK-së, duke i shkelur të drejtat elementare të njeriut, të garantuara me ligje ndërkombëtare! Kërkojmë nga instancat më të larta ndërkombëtare të drejtësisë që të ndërmarrin hapa ligjorë për t’ia ndërpre veprimet e kësaj gjykate që shkelin të drejtat e njeriut“, thuhet në reagimin e tyre.
Avokati i Thaçit, Luka Misetiq, konfirmoi se Prokuroria e Specializuar kundërshtoi dhe gjyqtarët e refuzuan kërkesën për vizitë.