Procesi gjyqësor ka filluar ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ish-ushtruesit të drejtorit të prokurimit, Ymer Dragusha, dhe avokatit Isuf Zejna. . Ata akuzohen për veprat penale “keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “ndihmë në keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Krasniqi e ka mohuar fajësinë, ndërsa Zejna gjithashtu nuk ka pranuar fajin. Dragusha ka pranuar fajësinë për keqpërdorim të detyrës dhe është pajtuar me dënimin e propozuar prej 2 vjetësh me kusht, nëse përmbush detyrimet e tij si dëshmitar bashkëpunues.
“Bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë për të akuzuarin Ymer Dragusha, konsiderojmë se e njëjta është e lidhur ne përputhje të plotë për 4 vepra penale te keqpërdorimit të detyrës zyrtarë në bashkëkryerje me të pandehurin Nagip Krasniqi e arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme që ky pranim fajësie është bërë në mënyrë vullnetare në konsultim me mbrojtjen dhe anën tjetër me të gjitha provat materiale dhe jomateriale që mbështet aktakuza. I pandehuri Ymer Dragusha është pajtuar me llojin e dënimit të rekomanduar nga ana e prokurorisë dhe rregullimet tjera që janë me këto marrëveshje. Për pikën 1 është rekomanduar dënimi me kohëzgjatje për 8 muaj, për pikën 2 në kohëzgjatje 6 muaj, për piken 3 me 6 muaj e veprën penale nga dispozitivi i katërt 6 muaj, e që me dënim unik është llogaritur me 2 vjet, i cili nuk do të ekzekutohet, nëse i cili pandehuri përmbush këto kushte. Kushtëzimi vie ne detyrimin e tij që të plotësojë detyrimet e tij si dëshmitar bashkëpunues e datës 19 maj 2023. I propozoj ta shpall fajtor dhe ta dënoj më dënimin e rekomanduar”, tha Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu.
Në aktakuzë thuhet se ata me veprimet e tyre të kundërligjshme i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Kosovës, rreth 37 milionë euro.
Ky është procesi i dytë gjyqësor për Krasniqin, pasi ai akuzohet gjithashtu për korrupsion, me një dëm total prej mbi 3.7 milionë eurosh për shtetin dhe KEK-un.