Errët
Ndritshëm

61 shtëpi në Prishtinë rrezikojnë jetën e qytetarëve

04.02.2025
Objekte Te Vjetra

Komuna e Prishtinës ka identifikuar 61 shtëpi, 11 mure dhe një lokal në gjendje të rrezikshme për jetën e qytetarëve. Megjithatë, autoritetet thonë se nuk mund të ndërhyjnë pa pëlqimin e pronarëve, për shkak të ligjit.

Ne çdo gjashtë muaj bëjmë evidentimin dhe inspektimin e të gjitha këtyre objekteve. Raporti i fundit është bërë me 20 dhjetor të vitit të kaluar, ku janë evidentuar dhe është bërë inspektimi i gjithë këtyre hapësirave. I kemi evidentuar 61 shtëpi që janë në gjendje të keqe, 11 mure dhe një lokal. Në bazë të ligjit ne nuk mund të ndërhyjmë në pronën private dhe t’i rrëzojmë pa pëlqimin e pronarëve, sepse mund të përballemi me padi siç ka ndodhur më herët në rastet e kaluara, prandaj komuna është në procese gjyqësore për disa shtëpi që janë rrënuar më herët“,
ka deklaruar drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica.

Arkitektët theksojnë se, përveç objekteve të vjetra, edhe ato të reja pa certifikim sigurie përbëjnë rrezik për qytetarët. Arkitekti Arsim Gërxhaliu deklaroi se ndërtesat e pabanuara dhe të papërshtatshme duhet ose të certifikohen për sigurinë ose të rrënohen.

Përderisa nuk ka certifikim të sigurisë, secili objekt pa pranim teknik përbën problem për sigurinë e banorëve për t’i shfrytëzuar ato. Aq më tepër objektet e pabanuar që për një kohë të gjatë nuk janë mirëmbajtur apo rinovuar, këto janë një rrezik permanent dhe patjetër që komuna duhet ose të certifikoj sigurinë e tyre apo edhe t’i rrënoj”, ka thënë arkitekti, Arsim Gërxhaliu.

Rasti tragjik i ndodhur në Jabllanicë të Gjakovës, ku tre të mitur humbën jetën nga shembja e një objekti të pabanuar, e tregon edhe më qartë urgjencën e veprimit për parandalimin e fatkeqësive të tilla.

Errët
Ndritshëm