Prishtinë – Ish-kryeshefi ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB), Hajdar Hoxha dhe shtatë të akuzuarit tjerë që bashkë me Hoxhën në cilësinë e zyrtarëve të kësaj ndërmarrjeje ngarkohen se i shkaktuan dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës prej 28 milionë e 700 mijë euro përmes tjetërsimit të pronave në Lakrishtë, u deklaruan të pafajshëm në seancën fillestare.
Në këtë rast, Hajdar Hoxha si kryeshef ekzekutiv i NPB-së, Lendita Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bashkim Pireva, në cilësi të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të NPB-së, si dhe Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli, në cilësi të anëtarëve të Komisionit Komunal Aksionar të NPB-së, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kurse, Hoxha po akuzohet edhe për lidhje të kontartës së dëmshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Të akuzuarit ngarkohen se mundësuan që katër prona publike në Lakrishtë, të tjetërsohen në pronësi private tek grupi ofertues, i përbërë nga nga kompanitë Made Group Construction Sh.P.K., Arkos Sh.P.K. dhe Made Kos Sh.P.K. me seli në Prishtinë.
Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë pasi aktakuza u konsiderua e lexuar.
Më pas, kryetari i turpit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi i njoftoi palët lidhur me të drejtën për kundërshtim të provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) të përmirësuar më 16 shtator 2024, Hajdar Hoxha si kryeshef ekzekutiv i NPB-së, Lendita Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bashkim Pireva, në cilësi të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të NPB-së, si dhe Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli, në cilësi të anëtarëve të Komisionit Komunal Aksionar të NPB-së, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Kurse, Hoxha po akuzohet edhe për lidhje të kontartës së dëmshme,
Në aktakuzë thuhet se Hajdar Hoxha, Lendit Myderrizi, Arbnora Jashanica, Xhevdet Leci dhe Bekim Pireva, me dashje dhe duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kndërligjshme për personat e tretë, në dëm të pronës publike.
Ata akuzohen se më 21 nëntor 2020 kanë nxjerrë vendim për miratimin e Rregullores për Rritjen e Pasurisë së Paluajtshme të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) Përmes Ndërtimit, duke qenë në dijeni se kjo rregullore nuk ka bazë ligjore në legjislacionin e aplikueshëm të Republikës së Kosovës. Aktakuza thotë se qëllimi ka qenë në bazë të kësaj rregulloreje të realizojnë Projektin e Ndërtimit në Lakrishtë.
Kurse, thuhet se realzimin e këtij projekti e kanë mundësuar duke u pajtuar shprehimisht në takimin e 22 prillit 2021. Ndërsa, thuhet se kjo është bërë në atë mënyrë që Draft-Marrëveshjen kryesore për bashkë-investim (Kontratën) ta referojnë te Komisioni Komunal i Aksionarëve për aprovim, e që në bazë të asaj kontrate, aktakuza thotë se në mënyrë të kundërligjshme kanë mundësuar që prona publike e destinuar për interes publik të tjetërsohet në pronësi private.
Sipas aktakuzës, mundësuan që këto katër parcela të NPB-së (11,657 m2, 4,007 m2, 1,164 m2 dhe 1000 m2), të tjetërsohen tek kompanitë private – grupi ofertues i përbërë nga kompanitë Made Group Construction Sh.P.K., Arkos Sh.P.K. dhe Made Kos Sh.P.K. me seli në Prishtinë.
Tutje, aktakuza thotë se në këtë mënyrë i është shkaktuar dëm i konsiderueshëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës si aksionare 100% të kësaj ndërmarrjeje, në vlerë të përgjithshme të pronës e cila është vlerësuar 28 milionë e 700 mijë euro. Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar përfshinë edhe vlerën monetare që NPB i kishte paguar në emër të taksës për leje ndërtimore për realizimin e projektit të lartpërmendur në shumë e përgjithshme prej 376 mijë e 346 euro e 30 centë.
Andaj, të njëjtit akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, para.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Gjithashtu, aktakuza ngarkon Hajdar Hoxhën edhe për lidhjen e Kontratës për të cilën sipas aktakuzës e ka ditur se është e dëmshme për ndërmarrjen. Aktakuza thotë se Hoxha i ka shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës, përmes tjetërsimit të paluajtshmërisë, e cila pasuri në bazë të ligjit mund të përdoret vetëm për interes publik.
Sipas aktakuzës, më 17 maj 2024, Hoxha ka nënshkruar Kontratën me Drilon Buzukun (drejtor dhe përfaqësues i Made Group Construction Sh.P.K., si përfaqësues i Grupit Ofertues të përmendur më lartë).
Më tej, aktakuza thotë se Hoxha këtë Kontratë e ka noterizuar tek noteri edhe pse ka qenë në dijeni se e njëjta ishte e dëmshme për Ndërmarrjen. Përmes kësaj kontrate, aktakuza thotë se mundësohej që pronat e paluajtshme që ndodhen në Lakrishtë, të përmendura më lartë, t’i jepen bashkë-investitorit të përzgjedhur kompanive të lartcekura në tërësi në shfrytëzim të përhershëm, duke e ditur se nuk ka bazë ligjore.
Për këtë, aktakuza e ngarkon Hoxhajn edhe me veprën penale “Lidhje e kontratës së dëmshme”, nga neni 285, par. 1 dhe 2 të KPRK-së.
Ndërkaq, Dren Kukaj, Genc Sherifi dhe Vesel Makolli akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tretë, në dëm të pronës publike. Aktakuza thotë se të njëjtit në kundërshtim me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, më 15 janar 2021 kanë ndryshuar Statutin e NPB-së, me qëllim që të njëjtin t’ia përshtasin procesit lidhur me Projektin për Ndërtim në Lakrishtë.
Sipas aktakuzës, në Statutin e ri të NPB-së ndryshojnë nenin 7, që ka të bëjë me fushëveprimtarinë, duke e vënë si aktivitet primar “Ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore. Kurse, thuhet se më pas, më 22 prill 2021 kanë marrë vendim përmes të cilit kanë miratuar Kontratën, me të cilën janë tjetërsuar pronat e përmendura, tek grupi ofertues.
Për tre të lartpërmendurit, aktakuza thotë se në të njëjtën kohë i kanë shkaktuar dëm NPB-së dhe Komunës së Prishtinës, në vlerë të përgjithshme të sipërfaqes tokësore të tjetërsuar e cila është vlerësuar 28 milionë e 700 mijë euro. Po ashtu, dëmi i shkaktuar përfshinë edhe vlerën monetare që NPB i kishte paguar në emër të taksës për leje ndërtimore për realizimin e projektit të lartpërmendur në shumë e përgjithshme prej 376 mijë e 346 euro e 30 centë.
Kështu, Kukaj, Sherifi dhe Makolli akuzohen se në bashkëkryerje lanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Deklarohen të pafajshëm ish-kryeshefi i NPB-së dhe shtatë të akuzuarit e tjerë ndaj akuzës se dëmtuan NPB-në dhe Komunën e Prishtinës për 28 milion euro.
