Naim Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt. Kur u pyet për pranimin ose jo të fajësisë, ai u përgjigj se deklarohet “plotësisht i pafajshëm”.
Ndërkohë, Granit Plava zgjodhi të mbrohej në heshtje, ndërsa Kushtrim Kokalla theksoi se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me avokatin. Tom Dodaj, nga ana tjetër, pranoi fajësinë në mënyrë vullnetare.
Gjatë shqyrtimit fillestar më 31 janar, Prokuroria paraqiti aktakuzën kundër katër të akuzuarve. Sipas saj, Naim Murseli kishte premtuar një kompensim prej 30.000 eurosh për vrasjen e bashkëshortes së tij dhe madje e kishte mbajtur me njërën dorë për të parandaluar shmangien e plumbit. Aktakuza gjithashtu pretendon se motivi i tij ishte presioni i lartë dhe xhelozia e bashkëshortes.
Granit Plava deklaroi se i ishte thënë se objektivi ishte një biznesmene serbe, ndërsa Kushtrim Kokalla pohoi se Murseli e kishte lutur për një vit që të kryente vrasjen. Tom Dodaj pranoi se ia kishte shitur Murselit armën me 20 fishekë për 280 euro – armën me të cilën më pas Granit Plava kreu vrasjen.
Gjykata e shpalli Tom Dodajn fajtor për shitjen e armës dhe e dënoi me 5 vjet burg dhe një gjobë prej 5000 eurosh. Avokati i tij njoftoi se do të ankohen për dënimin, duke argumentuar se është i lartë.
Në seancën gjyqësore, avokati Ndre Dodaj, që përfaqëson Kushtrim Kokallën, u ankua për vështirësi në qasjen ndaj shkresave të lëndës, duke pretenduar se CD-të e pranuara nga gjykata nuk hapeshin. Gjyqtarja Fatime Dërmaku kërkoi verifikim nga stafi i gjykatës, por materialet rezultuan të rregullta. Për këtë arsye, ajo vlerësoi se Prokuroria e Shtetit kishte përmbushur të gjitha detyrimet ligjore për ofrimin e provave.
Gjatë leximit të të drejtave të të akuzuarve, Kushtrim Kokalla deklaroi se nuk i kuptonte ato. Avokati Dodaj kërkoi kohë për konsultim me klientin e tij, por gjyqtarja i kërkoi të mos pengonte procedurën dhe i shqiptoi një vërejtje me shkrim, duke e paralajmëruar për gjobë në rast të përsëritjes.
Ekipi mbrojtës i Naim Murselit u ankua për sjelljen e gjyqtares ndaj Dedajt. Si pasojë, gjykatësja gjobiti mbrojtësin e Murselit, Shemsedin Piraj, me 500 euro për prishje të rendit dhe qetësisë në sallën e gjyqit.
Seanca fillestare ndaj të akuzuarve u mbajt më 31 janar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi ishte shtyrë nga 29 janari me kërkesë të avokatëve, të cilët pretenduan se nuk ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në orën 20:25, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht, rasti ishte raportuar si një vrasje gjatë një grabitjeje.