Errët
Ndritshëm

Andi Pajaziti lirohet nga akuza për vr:asje, dënohet më 2 vjet bur:gim për ar:mëmbajtje pa leje

31.01.2025
Andi Pajaziti Shenjester.net

Andi Pajaziti, i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në lokalin “Bon Vivant”, është liruar nga akuza për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”.

Gjyqtari Eroll Gashi ka konstatuar se veprimet e tij përbënin mbrojtje të nevojshme. Megjithatë, Pajaziti është dënuar me dy vjet burg për armëmbajtje pa leje.

“Lirohet nga ky dispozitiv i aktakuzës sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme. Në bazë të nenit 364 është fajtor si në dispozitivin e dytë sepse më datë, vend dhe kohë si në dispozitivin e parë i pandehuri Andi Pajaziti ka mbajtur në pronësi, në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët, armën e tipit ‘Smith’ të kalibrit 9 milimetërsh me të cilën e ka goditur të dëmtuarin. Me këtë ka kryer veprën penale ‘mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve’ nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Gashi.

Sipas gjykatës, ngjarja filloi kur i ndjeri, së bashku me Dukagjin Lekajn (në arrati), iu afruan tavolinës së Andi Pajazitit. Sigurimi, Hysen Gecaj, ndërhyri për të qetësuar situatën dhe e mbajti për dore Lekajn, i cili është i dyshuar në këtë rast. Para se të ndodhte vrasja, Kastriot Ramadani e goditi Pajazitin me shishe në kokë. Sipas aktgjykimit, në gjendje të rëndë mendore dhe “pa fajin e tij”, Pajaziti shtiu drejt viktimës. Edhe viktima hapi zjarr ndaj Pajazitit, duke e plagosur në dorë në momentet kritike.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që të ndërpritet masa e paraburgimit për Pajazitin.

Në seancën e mbajtur në korrik të vitit të kaluar, Pajaziti ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen që ndodhi më 4 gusht 2023, duke pretenduar se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Për armëmbajtje pa leje, ai kishte pranuar fajësinë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë më 21 qershor 2024 ndaj Andi Pajazitit. Më herët, më 5 gusht 2023, Prokuroria kishte njoftuar se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant” kishin të kaluar kriminale.

Në lidhje me këtë rast, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës raportoi se 17 persona ishin lënduar, ndërsa njëri prej tyre humbi jetën nga plagët e marra. Ngjarja ndodhi si pasojë e një konflikti mes të përfshirëve.

Errët
Ndritshëm