Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se nga data 29 janar 2025 ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Italisë.
Sipas ministrisë, njohja e patentë-shoferëve u mundëson qytetarëve kosovarë që jetojnë në Itali të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike dhe as nga ajo praktike.
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin,” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.