Një aksident tragjik ka ndodhur të dielën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, në segmentin e fshatit Çubrel të Skenderajt, ku tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë lënduar.
Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë dy automjete, njëri prej të cilëve ka qenë veturë zyrtare e Policisë.
“Sonte rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin policor.
Policia ka njoftuar se hetimet janë në vazhdim dhe po merren masa për të përcaktuar rrethanat e aksidentit.