Errët
Ndritshëm

Aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës

20.01.2025

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, të hënën, ka ngritur aktakuzë ndaj Y.J. dhe B.B. për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës.

”I pandehuri me inicialet Y.J. akuzohet se, në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” në vlerë totale prej 386,096.20 eurosh, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, ka vepruar në atë mënyrë që, me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitojë dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës, edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar,” thuhet në raportin e Prokurorisë.

Ndërkaq, i pandehuri tjetër me inicialet B.B. akuzohet se, në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara dhe në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë.

”…gjatë ekzekutimit të kontratës, ka kryer punë të tjera, e jo ato sikurse në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14 të kontratës së lartcekur, ku ditën kritike, për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës, një pjesë e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U. Në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 eurosh dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara përreth ndërtesës, me çka ka kryer veprën penale “Punime ndërtimore të kundërligjshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë dhe, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i është propozuar gjykatës që të pandehurit të obligohen të kompensojnë dëmin material në shumën prej 36,450.29 eurosh që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

Nga incidenti kur u rrëzua kulmi i Komunës së Prishtinës, pësoi lëndim të rëndë një qytetare e Kosovës, e cila pas trajtimit fatmirësisht shpëtoi.

Errët
Ndritshëm