Errët
Ndritshëm

Supremja ia vërteton dënimin me burg dhe gjobë ish-zyrtarit të MTI-së, të akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare

19.01.2025

Gjykata Supreme e Kosovës, më 15 janar 2025, ka marrë vendim me të cilin ka lënë fuqi vendimin e Gjykatës Themelore dhe atë të Apelit, me të cilin Xhemajl Syla, ish-zyrtari i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ishte dënuar me 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”.

“Refuzohet si e pabazuar, kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit të të dënuarit Xhemajl Syla e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda i datës 15.01.2024 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës i datës 14.05.2024”, thuhet në vendimin e Supremes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në vendimin e Supremes, thuhet se mbrojtësi i të akuzuarit Xhemajl Syla, avokati Mahmut Halimi, ka parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Apelit i cili kishte vërtetuar vendimin e Themelores për dënimin e Xhemajl Sylës.

Sipas Supremes, pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Halimi për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal, janë të pabazuara pasi që aktgjykimet nuk përmbajnë shkelje për të cilat pretendohet.

Po ashtu, si të pabazuara Supremja ka gjetur edhe pretendimin e avokatit Halimi lidhur me të dhënat e nxjerra nga laptopi i ish-të pandehurit Luan Dalipit. Kjo për faktin se bazuar në shkresat e lëndës, të dhënat e nxjerra nga laptopi i Dalipit ishin marrë bazuar në urdhrat e ligjshëm të lëshuara nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake, në kohën kur ky i fundit kishte cilësinë e të pandehurit.

Gjithashtu, Supremja ka gjetur se janë të pabazuara pretendimet e avokatit Halimi sa i përket pretendimet se në këtë çështje penale janë marrë disa emaile të supozuara të komunikimit mes të dënuarit Syla dhe ish – të pandehurit Luan Dalipi dhe Valdrin Lukës,

Supremja për këtë çështje ka sqaruar se në arsyetimin e gjykatës së shkallës së dytë në hollësi janë përshkruar të gjithë emailet e komunikimeve të cilat vërtetojnë ndarjen e informacioneve dhe favorizimin e e një pjesëmarrësi në tender në raport me pjesëmarrësit e tjerë.

Tutje, në vendimin e Gjykatës Supreme thuhet se fakti se tenderi i parë ishte anuluar dhe ishte shpallur ritenderim për të njëjtën projekt nuk e vë në pikëpyetje aktivitetin e tani të dënuarit e gjithashtu aktiviteti i tij dhe komunikimet vazhdojnë edhe pas ritenderimit, siç me të drejtë kanë konstatuar dy gjykatat e instancës më të ulët gjyqësore.

Po ashtu, kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur edhe përkitazi me konstatimin e gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike, mirëpo këto pretendime nuk janë vlerësuar nga Gjykata Supreme me arsyetimin se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkaqe të tilla.

Ndryshe, më 21 korrik 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Xhemajl Sylës, duke e dënuar me 5 mijë euro gjobë dhe 2 vite burgim me kusht.

Kurse, më 23 janar 2023, PSRK kishte bërë ankesë ndaj aktgjykimit të Themelores, duke kërkuar dënim me burgim efektiv për të akuzuarin Syla, derisa mbrojtja kishte kërkuar lirimin e tij ose rigjykim.

Ndërsa, më 27 shkurt 2023, Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Syla, avokatit Mahmut Halimi, duke e kthyer lëndën në rigjykim, me arsyetimin se Apeli ka gjetur se aktgjykimi i Themelores është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës dhe se shkeljet e tilla janë të natyrës absolute që kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit.

Ndryshe, në këtë rast për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ka qenë i akuzuar edhe Luan Dalipi, por që kjo aktakuzë ishte ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme.

Fillimisht, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 korrik 2017, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes së Xhemajl Sylës dhe Luan Dalipit për hudhjen aktakuzës dhe kundërshtimin e provave. Ndaj këtij aktvendimi, mbrojtja parashtruar ankesa në Gjykatën e Apelit.

Kurse, më 25 korrik 2017, Apeli e kishte refuzuar ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhemajl Syla, ndërsa e kishte aprovuar ankesën e mbrojtësit të Luan Dalipit, me arsyetimin se ndaj Dalipit, nuk ka prova të mjaftueshme që e mbështesin dyshimin e bazuar mirë se i njëjti e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pas kësaj, edhe Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur kundër aktvendimeve të gjykatës së shkallës së parë dhe të dytë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ndryshuar pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Xhemajl Syla akuzohet se më 5 dhjetor 2018, si udhëheqës i Divizionit për mbështetje të bizneseve dhe zhvillimeve regjional në Ministrinë Tregtisë dhe Industrisë (MTI), ka keqpërdorur informatën zyrtare me qëllim të përfitimit e përparësisë për kompaninë “Menagment Development Association” (MDA) e cila ka ofertuar në tenderin, sipas projektit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian, në vlerë prej dy milionë euro.

Ai akuzohej se me këto veprime ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i informatës zyrtare” nga neni 423, par. 2, lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër me të cilën kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dymbëdhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Errët
Ndritshëm