Disa fluturime, që për destinacion kishin Kosovën, u anuluan të mërkurën dhe të enjten.
Sipas Ministrit të Infrastukturës, Liburn Aliu, bëhet fjalë për 12 fluturime, kurse sipas Aeroportit të Prishtinës për gjithsej 42, duke llogaritur edhe ato të ditës së enjte.
Si numrat, palët, të ndryshme, i kanë edhe arsyetimet për anulimin e aterimeve.
Ministri Aliu fajin sikur ua la piloteve, siç tha ai, të pacertifikuar për sistemin e avancuar të Kosovës për aterim, ILS Cat LLB, i cili mundëson ulje të avioneve edhe në kushte të mjegullës së dendur, në dukshmëri minimale prej 50 metrash.
Kurse nga Aeroporti thanë se dukshmëria ka qenë nën këtë kufi.
“38 fluturime janë anuluar ditën e djeshme. Nga to disa janë divertuar në aeroportet fqinje. Sot janë anuluar 4 fluturime deri më tani. Dukshmëria ka qenë nën 50 metra, prandaj është pamundësuar realizimi i fluturimeve”.
Vetëm pak ditë më herët, më 19 dhjetor 2024, numri një i Infrastruktures thoshte se ditët kur fluturimet anuloheshin për shkak të motit të keq me mjegull kanë mbetur në histori, duke lavdëruar investimet në vlerë prej 35 milionë euro të Qeverisë në sistemin e avancuar të aterimit – ILS CAT 3B.
Ndryshe, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka vazhduar të enjten tollovia e njerëzve, shkaku i fluturimeve të anuluara.