Drejtori i OBSh-së, të hënën, bëri thirrje që të ndalohen sulmet e Izraelit ndaj spitaleve në Gazë. Ai tha se spitalet janë shndërruar sërish në fushëbeteja dhe se sistemi shëndetësor është në një kërcënim të madh.
Ai informoi se spitali Kamal Adwan, në veri të Gazës, ka dalë jashtë funksionit pas bastisjes dhe evakuimit të detyruar të pacientëve dhe stafit mjekësor, si dhe dërgimit në paraburgim të drejtorit të spitalit, Dr. Hussam Ebu Safija, dy ditë më parë. Ai bëri thirrje që ky i fundit të lirohet.
“Nuk dihet vendndodhja e tij. Ne bëjmë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm,” deklaroi ai.
Gjithashtu, ai theksoi se shumë spitale janë të dëmtuara dhe shërbimet shëndetësore ofrohen me shumë vështirësi.
“Shtatë pacientë, së bashku me 15 kujdestarë dhe punonjës shëndetësorë, qëndrojnë në spitalin indonezian, i cili është dëmtuar rëndë dhe nuk ka aftësi për të ofruar kujdes.”
Spitali Al-Ahli dhe Spitali Rehabilitues Al-Wafa në qytetin e Gazës gjithashtu u përballën me sulme sot dhe të dy kanë pësuar dëmtime.
Drejtori i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për një armëpushim që t’u mundësohet njerëzve qasja në kujdesin shëndetësor dhe humanitarët të ofrojnë ndihmë.