Errët
Ndritshëm

Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit vazhdon të jetë rrezik për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor

28.12.2024
Ministri I Mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka paralajmëruar për rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për Kosovën, përderisa ky grup vepron ende i lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Maqedonci tha se vazhdimi i aktivitetit të këtij grupi është një kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

“Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai përmendi edhe dy sulme që lidhen me këtë grup: sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë dhe atë të 29 nëntorit 2024 në kanalin Ibër-Lepenc. Maqedonci tha se këto sulme kanë penguar qasjen e qytetarëve në shërbime jetike, duke synuar destabilizimin e vendit.

“Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai.

Errët
Ndritshëm