Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale për dështimin në sektorin energjetik dhe politikat që, sipas tij, kanë çuar vendin në një krizë të thellë energjetike.
Haradinaj ka theksuar se refuzimi i projekteve strategjike dhe vendimet e papërgjegjshme të qeverisë kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“Në atë kohë ma patën kundërshtuar me krejt fuqinë projektin e kontraktuar të termocentralit ‘Kosova C’, që Kosovën e bënte fuqi energjetike, me arsyetimin se çmimi i megavatit prej 80 eurosh ishte i lartë, e sot e paguajnë mesatarisht ka 400 euro,” ka shkruar Haradinaj, duke kritikuar refuzimin e projektit për termocentralin.
Ai ka vazhduar të akuzojë qeverinë për refuzimin e gazit amerikan dhe për përfshirjen në marrëdhënie tregtare me kompani të lidhura me Beogradin. “U përfshinë në tregëti të energjisë, deri me GEN-in e Beogradit dhe u vunë në mbrojtje të sekserëve të tyre si Martin Berishaj e Nagip Krasniqi, që kishin shpërdoruar miliona euro të buxhetit të Kosovës,” ka shtuar Haradinaj.
Në statusin e tij, Haradinaj ka vënë në dukje se qeveria aktuale ka rritur çmimin e energjisë elektrike tre herë, ndërsa vendi vazhdon të përballet me ndërprerje të mëdha të furnizimit. “Tash kur Kosova është në kolaps energjetik dhe kur pjesa më e madhe e vendit është në terr, mundohen ta shkarkojnë fajin te KEDS-i,” shkruan Haradinaj
