Çedomir Aksiq është dënuar në mungesë me 15 vjet burgim për krime lufte të enjten nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
I dënuari Aksiq nuk ishte i pranishëm në seancë. Rasti ndaj tij, është i pari gjykim në mungesë që nga paslufta.
Kryetarja e trupit gjykues, Viloleta Namani-Hajra, tha se nga muaji janar deri në maj 1999 Aksiq bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar (me veshje ushtarake e policore) kanë kryer vrasje, cenim të integritetit trupor dhe shëndetit të popullatës civile të pambrojtur dhe dëbim të popullatës civile në fshatrat e Shtimes Mollopolc, Petrovë e Reçak.
“Në periudhën kohore nga muaji janar në maj të ’99-tës në bashkëkryerje me persona të tjerë tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore e ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosje të popullatës civile për shkak që lidhet me konflikt të luftës drejtuar me qëllim ndaj popullsisë civile dhe ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, ka theksuar Namani-Hajra.
Prokuroria Speciale e pati akuzuar Aksiqin për një numër vrasjesh, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen në Masakrën e Reçakut.
Në dokumentin akuzues, thuhet se mes fshatrave Reçak, Mulapolc dhe Petrovë, Aksiqi, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kanë urdhëruar dëbimin e banorëve, e më pas ua kanë djegur shtëpitë. Ai akuzohet edhe për pjesëmarrje direkte në një vrasje.
Në fshatin Reçak, sipas aktakuzës, Aksiqi ka marrë pjesë edhe në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Aksiqi tani jeton në Krushevc të Serbisë.
Mundësia e gjykimeve në mungesë është përfshirë në Kodin e Procedurës Penale të vitit 2019. Kodi ndërkohë pësoi ndryshime më 2021 e 2022, derisa aktakuza e parë në mungesë u ngrit vitin që shkoi.