Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 1.108.529 euro për të mbështetur familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci që janë aktivisht të angazhuara në bujqësi.
Në një mbledhje elektronike të mbajtur të martën, e cila u njoftua për mediat të mërkurën, u bë e ditur se këto fonde do të shpërndahen sipas thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar dje një mbledhje elektronike, në të cilën ka: ndarë 1,108,529 Euro mbështetje për të gjitha familjet shqiptare nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, qё nё mënyrë aktive merren me bujqësi sipas thirrjes publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSh), përfshirë këtu financimin për programet nga thirrja publike e KKSh-së për avancimin dhe socializmin e fëmijëve me nevoja të veçanta,” thuhet në njoftim.
Më 10 dhjetor, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte akuzuar Serbinë për pengimin e donacionit të Qeverisë së Kosovës për bujqit shqiptarë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Sipas Bislimit, pavarësisht se 1.178 bujq kishin aplikuar për donacionin pas shpalljes së thirrjes nga Këshilli Kombëtar Shqiptar më 26 tetor, Ministria e Serbisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave dhe Dialog Social kishte vendosur të pengojë shqiptarët në Luginë që të përfitonin nga kjo ndihmë. Deri më tani nuk ka pasur njoftim për zgjidhjen e kësaj çështjeje, por Qeveria ka ndarë mjetet financiare.
Po ashtu, gjatë mbledhjes, Qeveria ka miratuar Rregulloren për Procedurat dhe Kushtet e Financimit të Organizatave Sportive, si dhe kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje.