Ministria e Ekonomisë bëri thirrje të mërkurën që qytetarët të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht në periudha të caktuara gjatë ditës dhe natës, pasi ngarkesa e lartë po rrezikon funksionimin e rrjetit dhe ka sjellë reduktime në disa vendbanime.
Të martën, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) u ka dërguar qytetarëve mesazhe në telefona duke i ftuar për kursim të energjisë. “Të nderuar konsumatorë, konsumimi i lartë po mbingarkon asetet tona, po rrezikon dëmtimin e tyre dhe ndërprerjen e energjisë. Ju lutemi, kurseni energjinë,” thuhej në mesazhin e KESCO-s. Ndërkohë, qytetarët janë ankuar për mungesa të energjisë elektrike.
Në një komunikatë për media, Ministria e Ekonomisë tha se KOSTT-i dhe KEDS-i kanë raportuar për nivel të lartë të konsumit të energjisë elektrike gjatë një takimi që zhvilluan mbrëmë vonë.
“KOSTT dhe KEDS raportojnë se, me uljen e temperaturave, konsumi i energjisë elektrike ka arritur nivele shumë të larta, mbi 1400 MW në kohë të caktuara. Si rezultat, sistemi ynë elektro-energjetik është ngarkuar tej mase, duke shkaktuar vështirësi teknike në furnizim dhe duke e rrezikuar rrjetin; kësisoj, ka qenë e domosdoshme që operatorët të bëjnë shkyçje në disa vendbanime ku ngarkesa ka qenë e papërballueshme për rrjetin. Vështirësitë janë hasur veçanërisht në komunat e Ferizajt, Lipjanit, Gjakovës, Malishevës, Gjilanit, Shtimes, Istogut dhe Prizrenit, dhe si rrjedhojë mund të jenë ndikuar edhe disa nga vendbanimet të cilat furnizohen nga linjat e afektuara. Ndërsa, ekipet e KOSTT-it dhe KEDS-it janë duke punuar pandërprerë në terren për të minimizuar ndikimin në furnizim të qytetarëve,” thuhet në komunikatë.
Ministria bëri të ditur se probleme të ngjashme janë shfaqur edhe në Fushë-Kosovë, por “me energjizimin e nënstacionit të ri 110kV përgjatë javës së kaluar, është lehtësuar në masë të madhe barra dhe është adresuar problemi i furnizimit për banorët e kësaj komune.”
Gjithashtu, ministria njoftoi se çështja e furnizimit pritet të zgjidhet në Ferizaj gjatë javës në vijim me përfundimin e ndërtimit të nënstacionit të tretë.
“Në tremujorin e parë të vitit 2025, investime të tjera planifikohen për komunat e Malishevës dhe Dragashit me qëllim të zgjidhjeve afatgjata për furnizimin e qëndrueshëm me energji. Zakonisht kohët e festave të fundvitit karakterizohen me rritje të madhe të konsumit të energjisë elektrike, prandaj janë kritike sa i përket sigurisë së furnizimit,” thuhet më tej në komunikatë.
Ministria e Ekonomisë përsëriti thirrjen për kursim të energjisë, sidomos gjatë orëve 09:00–12:00 paradite dhe 18:00–00:00 në mbrëmje.
“Kursimi i energjisë në këto orë është thelbësor për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur funksionalitetin e sistemit për të gjithë. Lusim qytetarët që aty ku është e mundur të përdorin burime alternative për ngrohje si druri ose peleti, si dhe të zhvendosin konsumin e energjisë elektrike pas mesnatës,” përfundon komunikata.