Errët
Ndritshëm

Armenia konfirmon njohjen e pasaportave të Kosovës, por sqaron se qëndrimi i saj ndaj pavarësisë së Kosovës nuk ka ndryshuar.

25.12.2024
Image

Armenia ka njohur zyrtarisht pasaportat e Kosovës, përfshirë ato të zakonshme, diplomatike dhe zyrtare.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, i cili e quajti këtë zhvillim një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve mes qytetarëve dhe institucioneve të të dy vendeve.

Ministria e Jashtme e Armenisë e ka konfirmuar këtë për Shërbimin Armen të Radios Evropa e Lirë, duke sqaruar se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Dialogu ekzistues ndërmjet Armenisë dhe Kosovës mbahet në platforma të ndryshme përmes takimeve dhe diskutimeve dypalëshe. Po ndërmerren hapa për të forcuar lidhjet turistike dhe kontaktet mes njerëzve, që nuk do të thotë njohje [e pavarësisë së Kosovës],” thuhet në deklaratë, duke shtuar se shumë vende të tjera kanë miratuar të njëjtën politikë.

Qeveria e Armenisë kishte përshëndetur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) të vitit 2010 për pavarësinë e Kosovës.

Në atë kohë, deklaroi se gjykata e OKB-së mbështeti parimin e të drejtës së njerëzve për vetëvendosje. Megjithatë, Jerevani hoqi dorë nga mbështetja e këtij parimi në konfliktin e Nagorno-Karabakh nën kryeministrin Nikol Pashinian në vitin 2022.

Në shtator të këtij viti, kryeministri Pashinian u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një samiti, ku, sipas presidentes, u diskutuan zhvillimet aktuale, sfidat dhe mundësitë përpara.

Në vitin 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitoi Jerevanin dhe mori pjesë në një samit të Organizatës së Frankofonisë.

Errët
Ndritshëm