Kryeministri i Kosovës ende vazhdon t’i mos përgjigje pyetjeve në lidhje me ftesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Të martën, Kurti u pyet nga gazetarët në lidhje me këtë çështje por prapë shmangu përgjigjen
“Në Dragash e në Malishevë duhet me shku…”, ishte ‘përgjigja’ e të parit të qeverisë
Kjo nuk është hera e parë që i pari i Qeverisë refuzon të përgjigjet lidhur me ftesën e Prokurorisë në lidhje me skandalin e rezervave shtetërore, ku ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit.
“Do të shkoj në 7:30 në një koncert”, ishte përgjigja e Kurtit para disa ditësh.
Kryeministri ishte ftuar nga Prokuroria për intervistim më 12 dhjetor për t’u paraqitur më 16 dhjetor, por ai nuk u paraqit në Prokurori.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se prokurorët e rastit janë informuar se Kurti nuk mund të ishte i pranishëm për intervistim në Prokurorinë Speciale, për shkak të angazhimeve të tij jashtë vendit.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, pritet të intervistohet lidhur me skandalin e Rezervave Shtetërore. Vepra penale për të cilën është ftuar bën pjesë te ato të korrupsionit zyrtar, sipas Nenit 414, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.