Të martën, Prokuroria themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur akzakuzë kundër disa personave S.M., F.T., E.M., F.M., dhe V.Sh., me dyshimin e bazuar mirë, se ata, si persona zyrtarë kanë kryer veprën penale “Kepërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” bazuar në nenin 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Bazuar në aktakuzë, të lartëcekurit, më 29 Janar të vitit 2021 në Mamushë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre për të përfituar çfarëdo dobie për veten e tyre ose personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose të shkelin seriozisht të drejtat e personit tjetër.
“I pandehuri S.M., në cilësinë e Kryetarit të komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi nga vërshimet dhe shirat e rrëmbyeshëm në Komunën e Mamushës, ndërsa të pandehurit F.T., E.M., F.M.,dhe V.Sh., – si anëtarë të komisionit, përpilojnë Raportin mbi vlerësimin e dëmeve të shkaktuara dhe listën prej 169 fermerëve përfitues të mbështetjes financiare publike në shumën prej 416,874.77 €, me ç’rast 43 fermerë nga 169 sosh si fermerë përfitues, janë përfshirë në listën e përfituesve në kundërshtim me opinionin ligjor të MBPZHR-së – të datës 17.07.2018 dhe në kundërshtim me Vendimin për shlyerjen e njërit NIF (Numri Identifikues i Fermës) të cilët kanë përfituar mbështetje financiare në shumën prej 97,456.61 € si dhe 13 persona të tjerë të cilët ishin futur në listën e përfituesve pa qenë fare fermerë, me ç’rast këta të fundit kanë përfituar shumën prej 22,936.70 €, me ç’rast i kanë shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 120,393.31 € (njëqind e njëzet mijë e treqind e nëntëdhjetë e tre euro e tridhjetë e një cent).” thuhet në njoftimin e Prokurorisë
Të pandehurit e lartpërmendur, me veprimet e tyre, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” në bazë të KPRK-së.
Prokurori i çështjes, gjatë ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.