Errët
Ndritshëm

SHBA-ja nuk sheh prova që lidhin Serbinë me sulmin në kanalin Ibër-Lepenc

23.12.2024
640 0 Screenshot 3 1686245009

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që do të çonte në Beograd” lidhur me sulmin ndaj kanalit të furnizimit me ujë, Ibër-Lepenc, në veri të Kosovës.

Në një intervistë për RTS, Hill tha:

Ne sigurisht nuk shohim asnjë provë që do të çonte në Beograd, por dikush e bëri atë dhe duhet të kryhet një hetim i plotë.”

Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok, një zonë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Sipas Policisë së Kosovës, sulmi u krye me deri në 20 kilogramë eksploziv, duke shkaktuar dëme që vlerësohen në rreth 400,000 euro.

Autoritetet e Kosovës fajësuan Serbinë për këtë sulm, ndërsa Beogradi zyrtar i hodhi poshtë akuzat.

Nga dhjetë persona të ndaluar, dy u dërguan në paraburgim për një muaj.

Ambasadori Hill vlerësoi përfshirjen e FBI-së në hetim, duke theksuar rëndësinë e një procesi të besueshëm për të shmangur akuzat e ndërsjella. Sulmi është cilësuar si më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës që nga lufta e viteve 1998-1999 dhe u dënua ashpër nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Errët
Ndritshëm