Errët
Ndritshëm

Pesë të vdekur nga sulmi terrorist në Gjermani, një islamofob arrestohet për rastin

21.12.2024

Të paktën pesë persona u vranë në një sulm me makinë në një treg gjerman të Krishtlindjeve në qytetin e Magdeburgut. Gjithashtu, më shumë se 200 mbetën të plagosur.

Një psikiatër saudit me emrin Taleb A. u arrestua për rastin, i njohur për postimet e tij anti-islame në rrjetin social X. Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai postoi pikëpamjet ekstremiste në llogarinë e tij personale X që kërcënonin paqen dhe sigurinë.

Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte simpatizuar partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD).
Të shtunën, Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser u tha gazetarëve: “Në këtë pikë, mund të themi me siguri se autori ishte dukshëm islamofobik – ne mund ta konfirmojmë këtë. Çdo gjë tjetër është një çështje për hetime të mëtejshme dhe ne duhet të presim.”

Në anën tjetër, gazeta gjermane FAZ tha se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist anti-islam. “Unë jam kritiku më agresiv i islamit në histori. Nëse nuk më besoni, pyesni arabët”, ishte shprehur ai.

Eksperti i shquar gjerman i terrorizmit Peter Neumann postoi në X se ai ende nuk kishte hasur në një të dyshuar për një akt dhune masive me këtë lloj profili.

“Pas 25 vitesh në këtë ‘biznes’ mendon se asgjë nuk mund të të befasojë më. Por një ish-mysliman saudit 50-vjeçar, i cili jeton në Gjermaninë Lindore, e do AfD-në dhe dëshiron të ndëshkojë Gjermaninë për tolerancën e saj ndaj islamistëve – kjo me të vërtetë nuk ishte në radarin tim.”, tha ai.

Llogaria X e Taleb-it është e mbushur me postime që përqendrohen në tema anti-islame dhe kritika ndaj fesë, ndërsa ndanë shënime urimi për ata që e lanë islamin. Ai gjithashtu e përshkroi veten si një ish-musliman.

Ai ishte kritik ndaj autoriteteve gjermane, duke thënë se ata nuk kishin bërë mjaftueshëm për të luftuar “islamizmin e Evropës”.

Errët
Ndritshëm