Errët
Ndritshëm

Kërkohet paraburgim për zyrtarin që dyshohet se përfitoi gati 10 mijë €

20.12.2024

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar një kërkesë për caktimin e paraburgimit për zyrtarin e Komunës së Obiliqit, Armend Mirena, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe konflikt interesi.

Sipas Prokurorisë, Mirena dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme shumën prej 9,900 euro përmes manipulimit të subvencioneve publike, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria pretendon Mirena, duke shfrytëzuar pozitën e tij si kryetar i komisionit për ndarjen e subvencioneve në Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Obiliqit, ka shpallur fitues klubin basketbollistik “AS Kastrioti,” për të cilin ai kishte konflikt interesi si themelues dhe kontrollues i llogarisë bankare të klubit.

Paratë e përfituara janë kthyer vetëm pas fillimit të hetimeve.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria thekson se ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë dhe asgjësimit të provave, duke vënë në dukje natyrën e rëndë të veprave penale dhe ndikimin e korrupsionit në proceset e integrimit të Kosovës.

Prokurori i rastit, Eset Rama, në kërkesën për paraburgim, ka konstatuar se masat alternative nuk do të garantonin zhvillimin e pa pengesë të procedurës.

Për këtë arsye, Prokuroria kërkon që i pandehuri të mbahet në paraburgim deri në përfundimin e hetimeve.

Hetimet gjithashtu kanë identifikuar përfshirjen e dyshuar të A.G., e cila dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprave penale. Ajo është liruar në procedurë të rregullt. /BetimipërDrejtësi

Errët
Ndritshëm