Errët
Ndritshëm

Mandarinat nga Shqipëria dyshohen për nivel të lartë të pesticideve, ndalohen në kufi

19.12.2024
Mandarins With Green Leaves Scattered Dense Layer. Natural Fruit

Mandarinat që prodhohen në Shqipëri dyshohet se kanë pesticide mbi nivelin e lejuar. Ky dyshim i ka detyruar edhe autoritetet e Kosovës që t’i ndalojnë në pikat kufitare ngarkesat me mandarina me prejardhje nga Shqipëria, derisa të merren rezultatet e analizave laboratorike.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka thënë se po e monitoron situatën, pasi Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur alarm për ngarkesat me mandarina që vijnë nga Shqipëria.

AUV ka shtuar masat e kontrollit për ngarkesat me mandarina dhe do të merren mostra për testim për të përcaktuar nëse kanë prezencë të pesticideve mbi nivelet e lejuara në mandarinë.

“AUV nga mbrëmë ka ngritur masat e nivelit të kontrollit për ngarkesat me llojin e produktit mandarinë. Të gjitha kontingjentet apo ngarkesat me këtë produkt, përveç kontrollit inspektues të detajuar, merren mostra nga secila për testim laboratorik me qëllim testimin/përcaktimin e nivelit të mbetjeve në pesticide, përfshirë (lloji i parametrit të dyshuar për testim (MRL) në Chlorpyrifos dhe phosmet),” thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV ka shtuar se, edhe pse Kosova nuk është përfshirë në lajmërimet e Sistemit Evropian, megjithatë ka marrë masa për të hequr dyshimet.

“Përderisa Kosova nuk është e përfshirë në lajmërimet e RASFF, masën e vendosur e bëjmë me qëllim të eliminimit të dyshimeve të ngritura… Deri tani nuk ka pasur asnjë element dyshues mbi këtë produkt,” ka thënë Agjencia më tej.

Errët
Ndritshëm