Errët
Ndritshëm

Ndodh edhe kjo: Kurti i fton prokurorët ta intervistojnë në zyrën e tij për aferën e rezervave

16.12.2024
Image

Kryeministri Albin Kurti është i gatshëm t’i presë Prokurorët e rastit në zyrën e tij – në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët.

Kështu ka thënë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Kjo ani se ftesa e Prokurorisë Speciale ka qenë që kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar, të hënën, më 16.12.2024, në ora 09:30, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht Prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që Kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së Prokurorisë. Megjithëkëtë, Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë Prokurorët e rastit në zyrën e tij, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët – për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”, ka thënë Kryeziu.

Në anën tjetër, zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, në një deklarim para medieve ka thënë se është informuar nga Kabineti i Kurtit se Kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit.

“Sot nga Kabineti i Kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se Kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot. Prokuroria Speciale, konform legjislacionit në fuqi, do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kryeministrin Kurti për një datë tjetër”, ka thënë Kozmaqi.

Në ndërkohë mbrëmë, më 15.12.2024, Kryeministri Kurti rreth orës 23:45 ka publikuar fotografi në rrjetin social Facebook, se ishte në një Program të Filharmonisë së Sllovenisë, në Lubjanë.

Errët
Ndritshëm