Errët
Ndritshëm

Nga Mramori në Llukar: përballja me armë e Policisë ndaj të dyshuarve

15.12.2024
Web

Gjatë mbrëmjes të së dielës dyshohet se ka pasur gjuajtje me armë zjarri në Llukar të Prishtinës.

Kështu raportojnë gazetarët e Shënjestrës, të cilët ndodhën në vendin e ngjarjes dhe kanë dërguar fotografi nga atje.

Gjithçka nisi në Mramor, e përfundoi në Llukar të Prishtinës.

Mosndalja e një veture në fshatin Mramor, pavarësisht urdhrit policor, nxit reagimin e organeve të rendit.

Policët organizuan një pikë kontrolli të dytë në një tjetër fshat të kryeqytetit. Ndonëse nuk përmendet në njoftimin e Policisë, siç merr vesh Shënjestër, bëhet fjalë për pikën e kontrollit në fshatin Llukar. Vetura e dyshuar nuk u ndal as në këtë pikë kontrolli. Si pasojë, të rrezikuar nga lëvizjet e saj, zyrtarët policorë shtinë mbi të.

“Me manovra të rrezikshme ka bërë përpjekje të qëllimshme për të goditur zyrtarët policorë. Policia u detyrua të përdorë armën e zjarrit. Vetura nuk është ndalur dhe personat e dyshuar janë në arrati”, thuhet nga Policia.

Policia po vazhdon punën për identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve.

Inspektorati Policor i ka thënë Shënjestrës që t’i referohet vetëm deklaratës së Policisë, pa dhënë detaje të tjera.

Artikulli është përditësuar pas deklaratës zyrtare të Policisë. Është shtuar pjesa se rasti nisi në Mramor, shkaku i mospërfilljes që vetura bëri ndaj urdhrit policor për ndalim. Gjuajtja ndodhi në Llukar. Koha e editimit të fundit: 23:39.

Web

Errët
Ndritshëm