Errët
Ndritshëm

RRENCI, fitues i zgjedhjeve

13.12.2024
Fatlum Berisha

Zgjedhjet e reja, stili i vjetër. Gara zgjedhore edhe sivjet do të përqendrohet rreth gënjeshtrës.

Populli do ta zgjedh gjithsesi një fitues. Emri dhe mbiemri s’ka rëndësi. Mjafton të dihen tiparet: nuk e thotë të vërtetën, josh me fjalë të bukura për ta bërë për vete dikë dhe për të përfituar diçka.

I tillë është Albin Kurti, Lumir Abdixhiku, Bedri Hamza dhe Ramush Haradinaj. Partitë e këtyre kryeministrave potencialë kanë dhënë kaherë shembuj konkretë për këtë që po them. Qe pse…

Gënjeshtrat e VV-së:

E gjatë është lista e premtimeve të Vetëvendosjes. Qe, çka tha në opozitë dhe qe çka ndodhi kur erdhi në pushtet?

Për gjërat elementare: Premtoi zero TVSH për miell, vaj, qumësht, sheqer, kripë, etj. Premtim mbeti. TVSH-ja nuk u hoq kurrë për këto produkte. U zotua për lirim të energjisë elektrike. Çmimi i saj u rrit dy herë gjatë mandatit të Kurtit.

Të tjera: Premtoi 160 çerdhe, por nuk i finalizoi as 10. La pa “shtëpi” të rinjtë. 4 mijë banesa për ta s`u ndërtuan. Foli për Bankën Zhvillimore dhe Fondin Sovran, vazhdoi me valë privatizimesh. Premtoi tenderë të hapur, i bëri varg e vi ata njëburimor. Pazare me kompani të dostave. Hysen Durmishi – Bujar Shabani, Bageri.

VV shtrenjtoi tatimin në pronë, sidomos për ato komerciale. Ligji i ri për tatimin në pronë, i miratuar vitin e kaluar, do të rrisë mbi 200% tatimin për pronat komerciale nga janari i vitit 2025. Meqë zgjedhjet janë afër, Qeveria e VV-së e shtyu për vitin 2026 zbatimin e normës tatimore progresive për prona komerciale.

VëVëistat premtuan autostrada, por nuk e kryen asnjë. Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu bile po priton të flas për to. VV tha meritokraci, bëri nepotizëm. Shembulli më i freskët është punësimi i gruas së Liburn Aliut dhe nipit të Besnik Bislimit në KOSTT. S’ka sigurime shëndetësore për policët, edhe pse u ishte premtuar nga pushteti aktual.

Gënjeshtrat e përbashkëta LDK – PDK – AAK:

Rritje ekonomike dyshifrore, mijëra vende pune për qytetarët e Kosovës dhe shumëçka tjetër kishin premtuar këto tri parti politike gjatë fushatave në zgjedhjet e kaluara.

Në kohën e PAN-it, siç thoshte Demokracy Plus, nga 100 premtimet zgjedhore të partive, vetëm 6 prej tyre ishin përmbushur plotësisht.

PAN-i përbëhej nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nisma Social-Demokrate dhe Aleanca Kosova e Re.

“Për energjinë e ripërtërishme, furnizim me ujë të pijshëm, turizëm në 15 lokacione, përkrahje për eksportuesit dhe një treg të përbashkët me Shqipërinë, pastaj ulje të shpenzimeve të administratës, edhe ulje të numrit në administratë, cilësi dhe depolitizim të arsimit, subvencione më të mëdha në bujqësi, politika tatimore më stimuluese, këto janë disa premtime ku nuk kemi vërejtur një lëvizje të mirë”, thuhej nga D+.

Nga zgjedhjet e vitit 2014, kryeministër i Kosovës u bë Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në koalicion me Partinë Demokratike (PDK) dhe Listën Serbe.

LDK-ja kishte premtuar 120 mijë vende pune, ndërkaq PDK-ja 200 mijë vende pune.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2014, kur ishte premtuar hapja e deri 200 mijë vendeve të punës, numri i të punësuarve në Kosovë ishte 323 mijë qytetarë. Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2020, numri i të punësuarve ka arritur në 368,076 persona.

Gjatë kësaj periudhe, sipas kësaj përllogaritjeje, duket se janë punësuar jo më shumë se 45,076 persona.

Gara në 2025-ën do të jetë e ashpër për fituesin, i cili tashmë dihet.

Ai është RRENCI!

Errët
Ndritshëm