Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut ka vendosur të shtyjë seancën për vlerësimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve për një datë të pacaktuar.
Në këtë seancë, për të cilën do të vendoset më vonë se kur do të mbahet, pritet të marrin pjesë ekspertë të fushës dhe përfaqësues të partive politike, të cilët do të paraqesin argumentet e tyre lidhur me kontestimin e Ligjit për gjuhët.
Për ta shtyer seacnëm propozimi erdhi nga gjykatëja, Elizabeta Dubovska, e cila është përgjegjëse për këtë çështje. Ndërkaq pati edhe yëra kundër shtyerjes së seancës. Kundër këtij vendimi ishte gjykatësja Dobrilla Kacarska, e cila e theksoi se gjykata duhet të jetë ajo që jep fjalën përfundimtare.
Ligji për gjuhët parasheh përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe dhe e përmend atë në mënyrë specifike në nenin 2.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili vjen nga koalicioni shqiptar VLEN, është i bindur se Ligji për gjuhët “nuk do të preket”.
“Ne, si VLEN, thamë se ligji nuk do të preket, Gjykata Kushtetuese e vërtetoi këtë. Ka dalë dokumenti që nuk preket as Ligji për gjuhët, po as përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe. Të njëjtën e tha edhe kryeministri, si dhe kryetarja e shtetit”, deklaroi Mexhiti.
Më herët, gjatë javës së kaluar, Mexhiti kishte njoftuar se gjyqtarët shqiptarë në Gjykatën Kushtetuese do ta bojkotonin seancën e 11 dhjetorit, dhe me këtë, sipas tij, “vendimi nuk mund të kishte legjitimitet”.
“Është prononcuar edhe kryetari që duhet të marrin pjesë të gjithë gjykatësit dhe nëse dikush mungon, atëherë nuk ka legjitimitet vendimi”, kishte thënë Mexhiti më 6 dhjetor.