Errët
Ndritshëm

Kryeministri Kurti ftohet të dëshmojë nga Prokuroria Speciale

11.12.2024

Kryeministri Albin Kurti është ftuar për dëshmi nga Prokuroria Speciale.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu.

Sipas dosjes së Prokurorisë, thuhet se ka qenë i paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me çmim 4,834,778 euro; 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit.

Mirëpo, Prokuroria ka potencuar se buxheti i Kosovës është dëmtuar mbi 600 mijë euro pasiqë përkundër faktit se pagesat janë realizuar, MINT si autoritet kontraktues ka pranuar vetëm 9.947.5 tonë grurë, pra 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar, ndërsa vaji dhe sheqeri nuk janë sjellë fare.

Kryeziu dyshon se përmes kësaj ftesë po tentohet të ndikohet në zgjedhje.

“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, ka shkruar Kryeziu.

Në thirrjen e Speciales thuhet se dëshmitari detyrohet t’i përgjigjet thirrjes më 16 dhjetor në orën 9:30.

“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 muaj”, thuhet në udhëzimet e Speciales.

Errët
Ndritshëm