Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës, kanë realizuar sot një operacion në rajonin e Gjilanit, ku janë kapur 105,000 € para të dyshuara si të falsifikuara.
“Lidhur me rastin, gjatë veprimeve hetimore në mënyrë të kontrolluar është ndaluar automjeti me targa vendore, të cilin ishte duke e drejtuar i dyshuari, një mashkull kosovar. Gjatë kontrollit të realizuar në veturë, janë gjetur dhe konfiskuar 105,000.00 €uro, për të cilat ekziston dyshimi se janë para të falsifikuara,” thuhet në raportin e policisë.
Në total, provat e sekuestruara përfshijnë:
– 100,000 € në kartëmonedha të falsifikuara prej 200 €;
– 5,000 € në kartëmonedha të falsifikuara prej 100 €;
– 1 makinë për numërimin e parave;
– 3 telefona celular.
Pas përfundimit të veprimeve hetimore, me vendimin e prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për një periudhë 48-orëshe.
Ai po hetohet nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të parasë” dhe “Pastrim të parasë”.
Policia ka vazhduar hetimet për të zbardhur më tej këtë rast dhe për të identifikuar mundësitë e përfshirjes së individëve të tjerë në këtë aktivitet të paligjshëm.