Gjykata Speciale ka arrestuar të enjten ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, si dhe Fadilin, vëllain e dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Specialja nuk ka publikuar ende detaje lidhur me arrestimet.
Familjarët e të arrestuarve kanë konfirmuar aksionin e zhvilluar nga Gjykata Speciale gjatë ditës së sotme.
Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), ka deklaruar se Specialja vazhdon të ndjekë luftëtarët e lirisë.
“Gjykata Speciale po vazhdon gjahun ndaj UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë. Në media u njoftua për arrestimin e Isni Kilajt dhe Bashkim Smakajt, por sipas informacioneve që kam marrë, është arrestuar gjithashtu edhe Fadil Fazliu, vëllai i dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu,” ka shkruar Klinaku në Facebook.